DEKLARATË PËR MEDIA

Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik, e themeluar si organizatë profesionale me antarësi, ka për mision të kontribuojë në zhvillimin profesional, etik dhe metodologjik të auditimit të jashtëm publik, forcimin e pavarësisë individuale e institucionale të audituesve, si dhe mbështetjen e figurës, të drejtave dhe interesave të tyre profesionale. Në zbatim të këtij misioni, Shoqata mban këtë qëndrim në mbrojtje të interesit kolektiv e publik të audituesve. Statuti i Shoqatës, i referohet mbështetjes dhe mbrojtjes së audituesve të jashtëm dhe ushtron të drejtën dhe përgjegjësinë e saj duke reaguar ndaj çështjeve që mund të cenojnë profesionin dhe pavarësinë e audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

VLERËSIMI I PERFORMANCËS DHE SHQETËSIMET E REFERUARA

Vlerësimi i rezultateve në punë është një instrument i ligjshëm dhe i nevojshëm i menaxhimit të burimeve njerëzore dhe nuk përbën cenim të pavarësisë së audituesit. Megjithatë, ky vlerësim duhet të realizohet në mënyrë të rregullt, objektive, të arsyetuar dhe të mbështetur në prova, pa u përdorur për të ndikuar në gjykimin apo opinionet profesionale të audituesit.

Shoqata ka administruar shqetësime të përcjella nga auditues lidhur me vlerësimet e kryera së fundmi. Sipas këtyre referimeve, një numër punonjësish auditues të KLSH-së, përfshirë profesionistë me përvojë të gjatë, kanë marrë vlerësime të pafavorshme, të cilat pretendohet se nuk pasqyrojnë në mënyrë të plotë rezultatet e punës dhe kontributin e tyre profesional.

Sipas të njëjtave informacione, një pjesë e audituesve të vlerësuar negativisht rezultojnë të jenë persona që kanë fituar procese gjyqësore administrative apo kanë paraqitur ankesa, kërkesa ose qëndrime kritike lidhur me vendimmarrjet e brendshme administrative. Kjo përputhje përbën një tregues rreziku për trajtim të diferencuar ose për masa me efekt hakmarrës dhe kërkon verifikim të posaçëm, të paanshëm dhe të dokumentuar. Edhe perceptimi i arsyeshëm se vlerësimi mund të përdoret ndaj atyre që kanë kërkuar mbrojtje gjyqësore ose kanë shprehur kritikë profesionale dëmton lirinë e gjykimit profesional, kulturën e integritetit dhe besimin e stafit.

Për shkak të natyrës serioze të të dhënave, Shoqata kërkon që ato të verifikohen mbi bazën e dokumenteve zyrtare, me kritere të njëjta për çdo auditues dhe nga persona që nuk kanë qenë të përfshirë në vendimmarrjet e kundërshtuara.

QËNDRIMI I SHOQATËS

Reputacioni i institucioneve të auditimit publik mbështetet te bindja se personeli trajtohet me drejtësi, se vendimet gjyqësore respektohen dhe se ushtrimi i së drejtës për ankim apo kritikë profesionale nuk pasohet nga një trajtim i pafavorshëm.

Shoqata mbron integritetin profesional të audituesve, pasi siguria e tyre profesionale është pjesë përbërëse e besueshmërisë së sistemit të auditimit. Ne nuk kërkojmë anulimin automatik të vlerësimeve, por standarde të njëjta, prova të verifikueshme, arsyetim individual dhe proces të rregullt ligjor. Shoqata mbetet e gatshme të ofrojë analizë e rekomandime për zhvillimin e një dialogu profesional, duke respektuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

BORDI DREJTUES

SHOQATA e AUDITUESVE të JASHTËM PUBLIK

Tiranë, datë 17.07.2026