Shoqata në vijim të përpjekjeve institucionale për garantimin e së drejtës kushtetuese të organizimit dhe anëtarësimit profesional të audituesve në detyrë të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i është drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit, duke kërkuar shqyrtimin e kufizimeve të parashikuara në aktet e brendshme të KLSH-së.
Në datën 21.09.2026, Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik iu drejtua zyrtarisht Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu, duke kërkuar rishikimin dhe ndryshimin e nenit 12 të Kodit të Etikës dhe nenit 45 të Rregullores së Brendshme të KLSH-së.
Sipas vlerësimit të Shoqatës, formulimi dhe interpretimi i këtyre dispozitave krijojnë kufizime të pajustifikuara për punonjësit e KLSH-së, duke penguar ose kufizuar mundësinë e tyre për t'u anëtarësuar dhe për të marrë pjesë në organizata profesionale me qëllime të ligjshme.
Në kërkesën drejtuar KLSH-së, Shoqata argumentoi se anëtarësimi në një organizatë profesionale, që synon zhvillimin e profesionit, edukimin e vazhdueshëm, shkëmbimin e përvojave, përmirësimin e standardeve të auditimit dhe promovimin e etikës profesionale, nuk mund të konsiderohet automatikisht konflikt interesi apo veprimtari e papajtueshme me funksionin publik.
Shoqata kërkoi që dispozitat përkatëse të vlerësohen në raport me nenin 46 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i cili garanton se:
“Kushdo ka të drejtë të organizohet kolektivisht për çfarëdo qëllimi të ligjshëm.”
Në këtë kuadër, Shoqata propozoi që kufizimet e përgjithshme të zëvendësohen me rregulla të qarta për identifikimin, deklarimin dhe menaxhimin e rasteve konkrete të konfliktit të interesit, pa cenuar pavarësinë, paanshmërinë, konfidencialitetin dhe integritetin e veprimtarisë audituese.
Pavarësisht karakterit konstruktiv të kërkesës dhe gatishmërisë së shprehur për bashkëpunim institucional, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit Shoqata nuk mori përgjigje dhe nuk është konstatuar ndonjë përpjekje për riformulimin dhe interpretimin e këtyre dispozitave kufizuese deri në momentin e përgatitjes së kërkesës pasuese.
Shoqata vlerëson se një çështje që lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e të drejtave dhe lirive themelore të punonjësve meriton shqyrtim institucional, argumentim juridik dhe një përgjigje zyrtare.
Në mungesë të përgjigjes, përpjekjeve për riformulimin dhe interpretimin e këtyre dispozitave kufizuese nga KLSH, Shoqata e Audituesve të Jashtëm Publik në datën 18.10.2026, u drejtua tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD) dhe tek Avokati i Popullit (AP), duke kërkuar ndërhyrjen e këtyre institucioneve brenda kompetencave të tyre ligjore:
- Shqyrtimin e kufizimeve të parashikuara në Rregulloren e Brendshme dhe Kodin e Etikës së KLSH-së, për të vlerësuar nëse ato përbëjnë trajtim të pajustifikuar ose diskriminues ndaj punonjësve që dëshirojnë të anëtarësohen në shoqata profesionale dhe organizata jofitimprurëse.
- Vlerësimin e përputhshmërisë së dispozitave përkatëse me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin në fuqi dhe standardet ndërkombëtare për lirinë e organizimit.
- Kërkimin e informacionit dhe dokumentacionit nga KLSH, për të sqaruar bazën ligjore dhe arsyetimin mbi të cilin mbështeten kufizimet e anëtarësimit profesional.
- Shqyrtimin e mungesës së përgjigjes institucionale, iniciativës për riformulimin dhe interpretimin e këtyre dispozitave kufizues nga KLSH dhe të arsyeve për mos komunikimin e një qëndrimi zyrtar.
- Marrjen e masave dhe dhënien e rekomandimeve përkatëse, në rast se konstatohen kufizime të pajustifikuara ose problematika ligjore, për ndryshimin, shfuqizimin apo riformulimin e dispozitave kufizuese.
Në argumentimin e saj, Shoqata i është referuar gjithashtu nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe precedentit të trajtimit institucional të çështjes së të drejtës së organizimit sindikal të punonjësve të Gardës së Republikës.
Ne vlerësojmë se dialogu institucional, transparenca dhe respektimi i të drejtave kushtetuese duhet të jenë parime udhëheqëse në marrëdhëniet ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave profesionale.
Për këtë arsye, i jemi drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit, me besimin se çështja do t'i nënshtrohet një shqyrtimi të plotë, objektiv dhe të paanshëm.

